Të nderuar Anëtarë të Urdhrit të Psikologut!

Urdhri i Psikologut po vijon me vendosmëri dhe përkushtim ndërtimin e kontakteve të bashkëpunimit me homologët europianë, në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave dhe faktorizimit të institucionit tonë.

Në datë 9 shkurt 2018 realizuam një vizitë pune shumë të rëndësishme me homologët e “Ordem dos Psicologos Portugueses” në Lisbonë. Në një takim të gjatë pune, të shtrirë deri në orët e pasdites, Presidenti Francisco Rodrigues dhe ekipi i tij bënë një prezantim të punës së tyre 10 vjecare, duke na krijuar mundësinë e njohjes nga afër të organizimit, punës së palodhur dhe vizionit të tyre për të ardhmen.

Gjatë kësaj vizite patëm nderin dhe privilegjin të realizonim edhe një takim të gjatë pune me Presidentin e “Europen Federation of Psychologists Associationes”, Prof.Telmo Mourinho Baptista. Presidenti, pasi përgëzoi punën që kemi bërë deri më tani, arritjet në një kohë të shkurtër, si dhe vullnetin për të bashkëpunuar me të gjithë homologët në Europë, shprehu të gjithë konsideratën e lartë për institucionin tonë dhe mbështetjen e plotë që do të na ofrojë për anëtarësimin sa më të shpejtë dhe me të drejta të plota në EFPA!

Të nderuar Anëtarë,
Në fillim të këtij rrugëtimi të Urdhrit, anëtarësimi në EFPA apo ndërtimi i marrëdhënieve të drejtëpërdrejta me Presidentin dhe bordin drejtues të saj, dukeshin disa vite larg. Është privilegj për ne krijimi i këtyre bashkëpunimeve të suksesshme dhe mbështetja e pakushtëzuar që i ofrohet Shqipërisë. Kemi ndërtuar sëbashku një punë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti të parë, punë e cila është përkthyer në një histori suksesi edhe në arenën ndërkombëtare.

Dëshira dhe vullneti që kemi treguar dhe do të tregojmë në ndërtimin e institucionit dhe fuqizimit të rolit të psikologut në vend, do të na bëjë pjesë të familjes së psikologëve europianë, për të qenë edhe ne në standardet e kolegëve tanë e për të bërë profesionin e psikologut të Shqipërisë të njohur edhe nga vendet anëtare të Europës.

Le të vazhdojmë të tregojmë se e duam psikologjinë, se punojmë fort, dhe se, ndonëse jemi një vend i vogël, kemi të gjithë mundësinë që me punën e përditshme të hedhim baza të forta dhe të qëndrueshme për profesionin e psikologut. Le të shtrojmë një rrugë të mbarë edhe për brezat që do të vijnë pas nesh!

Dr.Valbona Treska
Presidente