Urdhri i Psikologut kërkon të sqarojë të gjithë psikologët dhe opinionin publik në lidhje me organizimin e Provimit të Shtetit për Psikologët se:
Institucioni ynë ka qenë dhe vijon të jetë prej afro 3 vitesh në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Qendrën e Shërbimeve Arsimore për të konkluduar sa më parë procesin për zhvillimin për herë të parë të Provimit të Shtetit për Psikologët.
Ne kuptojmë fare mirë dhe ndajmë të njëjtin shqetësim me të gjithë kategorinë e psikologëve, të cilët prej një periudhe kohore shumë të gjatë janë ende në pritje të zhvillimit të Provimit të Shtetit, në mënyrë që të pajisen me Licencë.
Por, duke qenë se kohët e fundit gjithmonë e më shpesh janë përcjellë deklarata jo të vërteta, DUKE BËRË PËRGJEGJËS ME PA TË DREJTË INSITUCIONIN TONË, PËR MUNGESËN E ZHVILLIMIT TË PROVIMIT TË SHTETIT, jemi të detyruar të sqarojmë edhe njëherë tjetër se:
Bazuar në Ligjin Nr.10 171, datë 22.10.2009 “Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 10 të tij në lidhje me organizimin e Provimit të Shtetit parashikohet se: Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës.
Gjithashtu bazuar në Urdhrin Nr.82, datë 22.02.2011 “Për miratimin e rregullores për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 3 te tij citohet se: Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (sot Ministria e Arsimit dhe Sportit) , përmes Agjencisë Kombëtare të Provimeve AKP (sot Qendra e Shërbimeve Arsimore), në bashkëpunim me ministrinë e fushës përkatëse.
Urdhri i Psikologut ka vetëm detyrimin që: Përpara organizimit të Provimit të Shtetit, të dërgojë listën e plotë me emrat e kandidatëve të cilët duhet të kryejnë provimin (dërguar dhe përditësuar kjo listë disa herë deri më tani nga UP).
Ndaj bazuar në sa më sipër, Urdhri i Psikologut nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore për organizimin dhe zhvillimin e Provimit të Shtetit, apo për cdo vonesë në zhvillimin e tij.
Detyra jonë është që të vijojmë të ndihmojmë institucionet përgjegjëse me sa mundemi si dhe të lobojmë dhe të kërkojmë me insistim, sikundër deri më tani, përfundimin e këtij procesi sa më parë, për t’u mundësuar kategorisë së psikologëve që janë në pritje, të drejtën për të përfituar Lejen e Ushtrimit të Profesionit (licencën), nëpërmjet kryerjes së Provimit të Shtetit.
Përpos këtij aspekti ligjor, cdokush e di më së miri se sa shumë jemi angazhuar formalisht dhe joformalisht për të përfunduar procesin!!!
Sqarojmë gjithashtu se, pas komunikimeve të vazhdueshme me insitucionet përgjegjëse, aktualisht është përmbyllur faza e hartimit të pyetjeve për nivelin bachelor dhe po përfundon faza e hartimit të pyetjeve për nivelin master.
Mbetemi besimplotë se janari do të na gjejë me pyetjet e publikuara nga QSHA, në mënyrë që të finalizohet sa më parë kjo periudhë pritje shumë e gjatë dhe e padrejtë për psikologët.
Urdhri i Psikologut
Recent Comments