Nisur nga disa paqartësi në lidhje me detyrimin e psikologëve që janë në marrëdhënie pune, në sektorin publik apo privat, Urdhri i Psikologut sqaron se:

Detyrimi për anëtarësimin në këtë Urdhër për të gjithë psikologët që ushtrojnë aktualisht profesionin, nuk është një vendim-marrje e organeve të Urdhrit, por buron nga ligji nr. 40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”.

Urdhri i Psikologut, në kushtet kur plotësimi i këtij detyrimi ligjor ka nisur të kërkohet nga disa institucione publike, për të normalizuar mënyrën e ushtrimit të profesionit nga psikologët në institucionet ku punojnë dhe për të shmangur gjendjen e tyre në konflikt me ligjin, në bazë të të drejtave që i jep ligji nr. 40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”, ka nisur dhe vazhdon të procedojë me regjistrimet për anëtarësi, për të gjithë psikologët që përmbushin kriteret ligjore. Këto regjistrime do të jenë të hapura në vazhdimësi. Urdhri i Psikologut, nëpërmjet administratës së tij, ka qënë dhe do të vazhdojë të jetë i impenjuar për të qënë në dispozicion të çdo psikologu për kryerjen sa më shpejtë të procedurave të regjistrimit.

Paralelisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, po punohet për nisjen sa më parë të procedurave për licencimin e të gjithë psikologëve të cilët janë anëtarë të Urdhrit të Psikologut.

 

Gjithashtu, nisur nga detyrimi ligjor për miratimin nga Asambleja Kombëtare të disa akteve themelore të këtij enti publik, si Statuti, Kodi Etik dhe Deontologjik, Rregulloret, Projekt-Buxheti, etj., Urdhri i Psikologut njofton se:

Së shpejti do të mblidhet Asambeja Kombëtare e Urdhrit të Psikologut, në të cilën do të marrin pjesë të gjithë psikologët që kanë përmbyllur procedurat për anëtarësimin në Urdhër dhe janë pajisur me numrin e regjistrimit si anëtarë të këtij Urdhri. Me qëllim që kjo Asamble të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe e plotë, lutemi në përmbushjen e këtij detyrimi ligjor nga çdo psikolog në vend dhe për pjesëmarrje sa më masive në Asamble.

Data, ora, vendi, rendi i ditës dhe materialet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Asamblesë, do të bëhen së shpejti publike në një njoftim tjetër zyrtar.