Të nderuar anëtarë të Urdhrit të Psikologut,
Dëshirojmë t’ju risjellim në kujtesë se:
Pagesa e kuotizacionit është një nga detyrat e anëtarëve të Urdhrit, të sanksionuara si në Ligjin Nr.40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”, ashtu edhe në Statutin e Urdhrit të Psikologut, të miratuar nga Asambleja e Urdhrit të Psikologut.
Neni 10 i Ligjit Nr.40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”, në detyrat, që përcakton për anëtarët e Urdhrit përcakton në gërmën c) të tij:
“c) të paguajë rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, tarifat e regjistrimit, tarifën e dhënies të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe shërbimeve të tjera administrative, të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut.”
Gërma ç), pika 1 e nenit 11 të po këtij Ligji parashikon se:
“Mosshlyerja e kuotizacionit passjell ndërprerjen e anëtarësisë”
Gjithashtu, Statuti i Urdhrit të Psikologut, përcakton qartë në nenin 42, pika 2 se:
“2.Shlyerja e kuotizacionit është e detyrueshme dhe kushtëzon anëtarësinë në Urdhrin e Psikologut.”
Ky detyrim për të gjithë anëtarët e Urdhrit të Psikologut pavarësisht, nëse e ushtrojnë apo jo profesionin, përfocohet nga nenet 10, pika 1; neni 16, pika 1, gërma c); si dhe neni 18, pika 3, të po këtij Statuti,ku theksohet fakti se mosshlyerja e kuotizacionit nga anëtari i Urdhrit të Psikologut sjell si pasojë, humbjen e statusit të anëtarit të Urdhrit (shih nenin 12, pika 1, gërma d) ). Po ky nen përcakton edhe afatin se deri kur është e mundur që anëtari që të shlyejë kuotizacionin, duke mos marrë sanksionin, e humbjes të statusit si anëtar i Urdhrit:
- d) Për mospagesë të kuotës së Urdhrit ose të kontributeve të tjera të parashikuara nga Urdhri për një afat kohor prej më shumë se 6 (gjashtë) muaj.
Bazuar në sa më sipër, kuotizacioni, si një detyrim vjetor për anëtarët e tij, që kushtëzon në mënyrë të drejtëpërdrejtë anëtarësimin e tij në Urdhër, do duhet të shlyhet çdo fillim viti kalendarik deri më 31 Janar. (rinovimi i kartës së anëtarësimit). Statuti ka përcaktuar afatin maksimal 6 mujor pas kësaj date, duke sanksionuar se çdo anëtar, i cili nuk do ta kryejë këtë detyrim brenda këtij afati, do të humbasë statusin si anëtar i Urdhrit.
Të gjithë anëtarët që nuk e kanë shlyer kuotizacionin vjetor brenda datës 31.01.2018, do duhet ta shlyejnë atë deri më 30.06.2018, pasi në të kundërt ç’regjistrohen anëtarësia e Urdhrit të Psikologut, duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në ndalimin e ushtrimit të profesionit të psikologut, si në institucionet shtetërore, ashtu edhe në ato private dhe për t’u patur të drejtën e ushtrimit të profesionit të psikologut, do duhet të rifillojnë edhe njëherë procedurat e regjistrimit.
Ju faleminderit
Recent Comments