Njoftohen të gjithë psikologët, anëtarë të Urdhrit të Psikologut, se nisur nga bashkëpunimi intensiv me Ministrinë e Drejtësisë lidhur ndërtimin e regjistrit elektronik të ekspertëve të cilët mund të thirren nga gjykata, kjo ministri i është drejtuar Urdhrit të Psikologut me shkresën e datës 22.01.2018, sipas të cilës (citojmë):
Kuvendi ka miratuar në kuadër të reformës në drejtësi ligjin nr.38/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8116 dt.29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar). Në ndryshimet e miratuara janë parashikuar rregulla të reja në lidhje me mënyrën e thirrjes dhe ushtrimit të veprimtarisë së ekspertëve të zgjedhur nga gjykata.
Ministria e Drejtësisë pranon ekspertin e regjistruar në regjistrin elektronik nëse ai përmbush kriteret e mëposhtme:
- Të ketë dhjetë vjet përvojë profesionale në fushën specifike apo të ngjashme. Pesë vjet përvojë profesionale e këtij lloji është e mjaftueshme nëse aplikanti ka përfunduar një trajnim profesional në fushën përkatëse;
- Të ketë zotësi për të vepruar;
- Të jetë i regjistruar dhe të ketë përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet në organet tatimore.”
Nëpërmjet kësaj shkrese, i kërkohet Urdhrit të Psikologut vënia në dispozicion e listës me të dhënat e psikologëve të licencuar dhe që plotësojnë kriteret ligjore të mësipërme, për t’u përfshirë në këtë regjistër.
Përsa më sipër psikologët e licencuar të interesuar, duhet të paraqesin në zyrat e Urdhrit të Psikologut dokumentacionin ligjor që provon përmbushjen e kritereve të mësipërme.
Të dhënat do t’i përcillen Ministrisë së Drejtësisë në rrugë zyrtare.
Recent Comments