Urdhri i Psikologut, që prej fillimit të ekzistencës së tij, ka patur në fokus dëgjimin e çdo problematike dhe shqetësimi të ngritur nga cilido anëtar i tij dhe angazhimin maksimal për t’u dhënë zgjidhje sa më të shpejtë këtyre problematikave apo për t’i adresuar ato për zgjidhje në institucionet përgjegjëse.
Në vijim të kësaj politike mbështetëse për anëtarët e UP, dëshirojmë t’Ju informojmë se në takimin informues të zhvilluar ditën e djeshme me anëtarët e UP-së, takim i organizuar nga presidentja dhe njëkohësisht kryetarja e KEVP-së Znj.Valbona Treska, na u adresua nga ana e psikologëve, problematika e kostos tepër të lartë për pjesëmarrje në aktivitetet e Edukimit në Vazhdim.
Ju informojmë se ditën e sotme, Komisioni i Edukimit në vazhdim ka përcjellë këtë shqetësim, tek të gjitha Shoqatat/institucionet, të cilat aktualisht operojnë në treg e zhvillojnë këto aktivitete, duke kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në vazhdim, në mënyrë që të mbahet në vëmendje ky shqetësim dhe që në vijim të bëhet e mundur aplikimi i kostove sa më të ulta e të përshtatshme për pjesëmarrësit, në këto aktivitete.
Në vijim, do të angazhohemi maksimalisht, për të ulur kostot e shpenzimeve për rilicencim, me besimin se do të gjejmë bashkëpunim jo vetëm me ofertuesit privatë, por edhe me institucionet shteterore për realizimin e trajnimeve.
Urdhri i Psikologut
Recent Comments