Drejtuar: Z.Ilir Havolli
Pak ditë më parë u postua në rrjetet sociale një video e emisionit “Sot”, e televizionit KTV , ku ju, Z.Havolli ishit i ftua,r së bashku me Z.Sami Rexhepi. Prononcimi juaj në TV u bë një ditë pas ardhjes tuaj disa oreshe në Durrës bashkë me kolegë të tjerë psikologë nga Kosova për të ndihmuar në situatën post tërmet.
Gjatë emisionit, ju Z. Havolli, anëtar i Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë, keni bërë prononcime krejtësisht të pavërteta dhe keni paraqitur fakte të shtrembëruara dhe opinione, që bien ndesh jo vetëm me profesionin e psikologut, por edhe me misionin e Urdhrit të Psikologut, për të mos folur këtu për nëpërkëmbjen që i keni bërë vlerave të mikëpritjes dhe bashkëpunimit kundrejt të gjithë kolegëve tuaj në Shqipëri.
Për rikujtesë Z. Havolli, në bashkëpunim disa ditor me mua, në cilësinë e Presidentes, si dhe me anëtarë të Shtabit të Emergjencës së UP, planifikuam ardhjen tuaj në Tiranë, se bashku me një grup psikologësh kolegë nga Kosova.
Por edhe pse disa veta u angazhuan në pritjen tuaj dhe u përpoqën maksimalisht të ishim ndihmë për ato pak orë që qëndruat, sot unë, dhe të gjithë kolegët e Shtabit të Emergjencës, ndihemi të keqardhur për qëndrimin tuaj në media. Në KTV, ju jo vetëm hidhni poshtë të gjithë punën e bërë nga psikologët tanë gjatë gjithë ditëve në terren, por pa asnjë droje emocionale e morale raportuat se asnjë prej të dëmtuarve nuk kishte marrë ndihmë deri ditën e diel dt.01.12.2019, kur ju i kontaktuat i pari të dëmtuarit. Madje nuk harruat as të citonit se organizimi i shërbimit psikologjik gjatë këtyre ditëve në Shqipëri ishte nën nivelin 0, dhe se ato orë që ishit në terren, kishit paguar edhe disa taksi me paratë tuaja për të shpërndarë kolegët kosovarë në hotelet ku kishte të dëmtuar në Durrës.
Z.Ilir Havolli! Qëllimet e këtyre deklarateve të tua (sikundër ta kam shkruajtur edhe në komunikimin privat që kemi patur e ku më kërkoje falje), as nuk duam t’i dimë e as nuk kemi kohë t’i sqarojmë.
Nëse ti nuk ndihesh i turpëruar për deklaratat e tua, unë ndihem 100% e turpëruar e në siklet, jo për ty, por për ata qindra psikologë që kanë dalë në terren që në orët e para të dt.26 nëntor dhe kanë punuar me shpirt për të ndihmuar të dëmtuarit e tërmetit.
Ndihem e turpëruar që ke nëpërkëmbur pa t’u dridhur qerpiku, jo punën time e të shtabit të Emergjencës, por të Marvinës që vazhdon të jetë prej 9 ditësh tashmë në terren dhe i ka lënë vetëm fëmijët, të Pranverës që ka vrapuar në terren kudo që e kanë kërkuar, të Xhulianës, që as për të pirë një kafe nuk ka lëvizur nga vendi, të Alfredit dhe Elidonit, që kanë asistuar me orë të tëra tek Spitalit Ushtarak pa bërë foto e bujë, të Eltonit, të dobësuar e të lodhur nga organizimi dhe mbajtja mbi shpatulla e të gjithë kësaj stuhie që kaluam, të Jasminës, që ka udhëtuar cdo ditë nga Shkodra në Shëngjin për të qenë prezent në turnin e pasdites tek hotel “Rafaelo” e nuk ka munguar 1 dite edhe pse ka nje bebe në shtëpi.
Ke nëpërkëmbur punën krejtësisht vullnetare të QINDRA KOLEGËVE nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, që erdhën në ndihmë, emrat e të cilëve, ti Ilir, mund të mos i kesh dëgjuar kurrë më parë. E di pse? Sepse punojnë pa bujë e lajle lule e nuk reklamojnë cdo shtrëngim dore. Kur vjen për të ndihmuar në një situatë krize, nuk të dhimbsen lekët e taksive! Hajde na pyet ne të tjerëve të gjithë këtu në vend se çfarë kostosh personale financiare kemi patur këto ditë. Sa turp për ne po ti bënim me rradhë të dituara në rrjete sociale e TV ato çfarë bëhen me shpirt për solidaritet e humanizëm!!!
Ilir Havolli ke thyer së pari kodin e moralit e të mikëpritjes, por edhe të solidaritetit e humanizmit kur keqardhesh për 5 lekë taksi të shpenzuara pas një situate katastrofe natyrore!
Nga ana tjetër më lejo të kujtoj se si psikolog i Urdhrit të Psikologut ka një Kod Etike që ke detyrimin të zbatosh.
Në cilësinë e Presidentes do t’i përcjell gjatë këtyre ditëve Komisionit të Etikës dhe Gjykimit Disiplinor kërkesën për shqyrtimin e shkeljes së Standardit 5.01 (Shmangia e deklaratave të pavërteta ose keqorientuese).
Televizonit Kosova TV do t’i dërgohet në rrugë zyrtare prononcimi ynë për emisionin “Sot”. Ndërkohë, zyra juridike e Urdhrit të Psikologut do të marrë në vijim të gjitha masat për të ndjekur në rrugë ligjore prononcimet e bëra në një TV publik.
Z.Havolli! Zgjodhe rrugë të gabuar për “të potencu veten”. Hodhe baltë jo mbi mua (do ta kaloja pa asnjë merak po të ishte kështu, si të gjitha rastet e ngjashme), por mbi të gjithë kolegët psikologë të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, që kanë punuar me shpirt me orë tejet të zgjatura, vetëm për të qenë afër çdokujt qē pati nevojē.
Të jesh i bindur që bashkëpunimi yt me çdo koleg në Shqipëri është vështirë të jetë i frytshëm në vijim. “Ai që hedh baltë, humbet tokë”- thoshte Konfuci! Dhe filozofia e tij mbi moralin dhe etiken merr kuptim për ty e për këdo edhe pas 2500 vitesh.
Gjithe të mirat,
Valbona Treska