Presidenti

Dr. Valbona Treska, Presidente e Urdhrit të Psikologut në Republikën e Shqipërisë

Dr. Valbona Treska, Presidente e Urdhrit të Psikologut në Republikën e Shqipërisë

Tiranë 05.07.2024

 

Të ndëruar Anëtarë,

Të nderuar Përfaqësues të ministrive tona të linjës,

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 

Ministria e Arsimit dhe Sportit, 

Ministria e Drejtësisë dhe 

Ministria e Mbrojtjes. 

Së pari më lejoni të falenderoj çdonjërin prej Jush. 

Pavarësisht dëshirave, kjo është Asambleja që duhet të na mbledhë të gjithëve, ndaj përzemërsisht faleminderit, kujtdo që na është bashkuar sot. 

Së dyti, nëse ndonjëri prej jush anëtarëve prezent në sallë nuk do të më dëgjojë, le të ngrihet e të ikë e të kthehet pas 20 minutash kur të mbaroj fjalën. Ju kam dëgjuar dhe ju kemi dëgjuar boll kaq muaj. Tani është radha të dëgjoni ju! 

Nëse mendoni që fjala ime sot do të marrë në shqyrtim çdo budallallëk ligjor, moral apo profesional që është bërë gjatë këtyre muajve, nuk do të jetë kështu. Kjo, jo sepse nuk na duhet të analizojmë dhe përmirësohemi, përkundrazi, por sepse ajo çfarë ndajmë, me sa duket, janë dy qasje filozofike krejt të ndryshme. 

Po përpiqem të them me fjalë të thjeshta qasjen time. Ndoshta shumë prej jush e kanë perceptuar këtë qasje dhe padyshim, kemi qenë bashkë në këtë rrugëtim. Ka nga ata që edhe pse e kanë kuptuar, nuk kanë dashur për 1 milion arsye ta pranojnë, apo verbalizojnë. Ka nga ata që s’kanë as sy as vesh të shohin dhe dëgjojnë filozofinë e ngritjes së një institucioni dhe të ecurit përpara. 

Ajo çfarë kam dashur unë dhe kam punuar fort, bashkë me një grup shumë të ngushtë bashkëpunëtorësh, është TË NDËRTOJMË! Të ndërtojmë me themele të forta një institucion që nuk e merr kollaj era. 

Pjesa më e madhe juaja janë nëna dhe baballarë. Ktheni pak kokën pas, kujtoni se si e keni rritur fëmijën tuaj, sa jeni investuar në emocione, kohë, shëndet, fizikisht por edhe financiarisht. I keni ndejtur afër që nga e qara e parë dhe vjen një ditë kur bëhen adoleshentë dhe me të parën që nuk ju shkon siç duhet, ta kthejnë përgjigjen me nerv dhe në majë të gjuhës: “E çfarë më bëre ti, unë u rrita vet!” 

Si prind, ti e di shumë mirë se kjo përgjigje nuk mbart vlerësimin real të fëmijës ndaj teje. Është një sjellje inati, ndonjëherë edhe për gjëra nga më banalet “Pse nuk më dhe leje të rri jashtë deri në 2.00 të natës me shokët?” 

Ti e di që tensioni bie, zemërimi nis e shuhet dhe pas sjelljes instiktive vjen me kohën maturia, analiza dhe diskutimi

Në doni të dini si jam ndjerë dhe si e kam perceptuar të gjithë sulmin e shfrenuar ndaj kësaj shtëpie të madhe, është pikërisht kështu. Si një person që nuk duhet të kundërpërgjigjet menjëherë instiktivisht dhe të bjerë në shfrenimin e një adoleshenti, por që duhet TË PRESË. Duhet t’i japë kohë kohës, që të tjerët të maturohen dhe kuptojnë, me durim me shumë durim. 

Shumë prej Jush nuk e dinë fare se si është ngritur ky institucion, disa nuk e mbajnë mend dhe të tjerë, më keq akoma, e mbajnë mend, por nuk duan ta kujtojnë. Kemi 2 vite që punojmë për një projekt shumë të bukur, që duhet të ishte në fakt supriza jonë në maj, kur mbyllëm aktivitetin me Federatën Evropiane të Psikologëve, por që për shkak të situatës komplet pa sens të krijuar, na u desh ta shtyjmë pak në kohë. Kemi përfunduar realizimin e një dokumentari mbi ngritjen e Urdhri të Psikologut, lodhjet dhe sfidat që kemi hasur, për të lënë një gjurmë me zë dhe figure, që pas 30 vitesh mund të jetë e vlefshme për të kuptuar si u ngrit ky Urdhër. 

Çdo institucion ka nevojë për memorie, ka nevojë të kuptojë e analizojë dhe të mos harrojë gjërat e bukura dhe me pasion që janë bërë. Çfarë më bëri të kuptoj ky vit? Se gjërat e bukura ndonjëherë hidhen në plehra sa hap e mbyll sytë. Thjesht e kemi shtyrë në kohë premierën e dokumentarit, por premtoj që do ta shfaqim shumë shpejt. 

Këto janë dy qasje të ndryshme filozofie punë që përmenda pak më parë, nga njëra anë ndërtimi nga ana tjetër shkatërrimi. Të prishim dhe dëmtojmë çdo gjë që është bërë, për aq kohë sa e ka bërë Treska. Aq shuma amplifikohet zemërimi sa shkohet deri në fantazi të shfrenuar, si ajo e ditëve të fundit që qarkulloi mes jush, që medemek, Urdhri po shpenzon çdo qindarkë tuajën pa fre dhe ka ndërruar zyrat e ka shkuar tek kullat binjake në mes të Tiranës me qera. 

“Në vesh të Perëndisë” – do të thoshte gjyshja ime dhe ishalla Zoti e bënë mbarë që të kemi mundësi jo të shkojmë aty me qera, por Urdhri të jetë në gjendje t’i blejë vetë zyrat. Për momentin vazhdojmë të jemi tek ai 2+1 që kemi qenë këtu e 7 vite. 

Nëse jam për një gjë plotësisht e trishtuar, është ndjesia se si ata që mbajnë emrin psikologë e që duhet të jenë teorikisht mishërim i të vërtetës dhe maturisë, kthehen në hiena për vetë kolegët. Janë bullizuar dhe masakruar profesionalisht kolegë të cilët kanë mbajtur qëndrime kundër çmendurisë kolektive të tilla si: ta heqim Treskën, ta persekutojmë, të shpifim, të shkruajmë çfarë na vjen në mend, sepse po iku ajo, psikologjia në Shqipëri do të lulëzojë…

Janë bërë bllok kolegë në grupe komunikimi, janë shantazhuar e fyer, për të mos folur për turpin e madh të shantazhit që është bërë ndonjëherë me kolegët e Këshillit Kombëtar. 

Janë bërë thirrje kolegëve të mos vinin në takime, janë telefonuar dhe shantazhuar në telefon, janë future miq e shok e shefa për t’u marrë firmat për të mbledhur të ashtuquajturën asamblene e jashtëzakonshme. Dhe e gjitha kjo me cilin qëllim? Të heqim të keqen që është tek Urdhri me Tresken të parën, e mbrapa Edi Lamen, Fleura Shkëmbin, Bona Habilin, Rezi Bashën e me radhë kolegë. Të ikin këta e të vijmë ne, se ne dimë t’i bëjmë gjërat më mirë. Madje janë ndarë edhe postet e Urdhrit të Psikologut nëpër mbledhjet zoom që kanë zhvilluar. 

Një përgjigje kam sot për secilin prej tyre. 

Kur të gjithë ju së bashku të bëni 1 të 100 e atyre që kanë bërë këta kolegë për psikologjinë në vend në më shumë se 20 vite, keni të drejtën e të gjithë botës të bëni rrokadën e madhe. Por kini kujdes, ngjitini shkallët ngadalë, një nga një, siç i kanë ngjitur me maturi kolegët tuaj dhe janë sot secili të mirëpozicionuar profesionalisht, emra me peshë në profesion. Kush vrapon dhe do të kapërcejë nga 4 a 5, i thyen keq turinjtë. 

Jam e qartë dhe kam aq intuitë profesionale sa të kuptojë që ndonjërit mami i flet në vesh te shtëpia: “Të keqen mami ti ke lindur për lider, ti je fanari ndriçues”. Një këshillë kam: “Mos dëgjo vetëm mamin!” 

 

Unë, Edi, Rezi, Blerat, Sonila, Valbona, Elona e të tjerë kolegë, nuk kemi punuar kurrë sot për sot e aq më shumë për vete. Kemi punuar të ngremë imazhin e një profesioni që kush do të kthejë kokën pas në kohë dhe ka një IQ mesatare, e kupton se sa shumë u rrit këto vite. Dhe kur rritet imazhi të mirat vijnë vet nga pas, s’do mend e kalem për t’u kuptuar. 

Personalisht kam dashur të përçojë tipologjinë e një drejtuese që punon shumë, që ka vizion, që nuk merret me cic mice, që nuk mban inate, i jep Çezarit çfarë i takon Çezarit, nuk ndikohet nga miq e shok, ndihmon sa mundet dhe eshtë e pakorruptueshme në çdo formë. Ja kam futur kot mesa duket! Ka njerëz që nuk kanë aq kapacitet sa të vlerësojnë punën, por mbesin peng i idiotësirave. Duan t’u thuash zemër e shpirt, t’u dërgosh emoji me zemra në celular, t’u thuash: “Shkele sa të duash se më ke mua krahë” dhe t’u thuash miqve e shokëve: “Këtë po e bëjë vetëm për ty!” 

Vetëm kështu mesa duket je e respektuar e nderuar nga këta lloj e soj. 

E kuptoj dhe kërkoj ndjesë thellësisht, ajo që jam përpjekur të bëj dhe trasmetoj ka qenë mesa duket shumë avangardë për vendin ku jetojmë. 

 

Kërkoj gjithashtu thellësisht ndjesë, sepse NUK NDRYSHOJ DOT! Do vazhdoj të punoj njësoj, për aq kohë sa do të jem në këtë pozicion. 

Nëse ndokush mendon se u dëmtova unë, apo deshi të më dëmtojë mua personalisht, më vjen keq t’ju zhgënjejë, por më keni nxitur të punoj më shumë. Ja ku jam mes jush, me nervin dhe grintën për të vazhduar edhe më fort përpara. Jo se thjesht dua unë, por se ka me qindra kolegë, që këto muaj nuk kanë lënë mesazh pa më çuar, për të më treguar mbështetje. Dhe më besoni, nëse një pjesë janë ende të rinj dhe me dëshirë për të punuar, një pjesë tjetër janë nga ata kolegë me shumë vite përvojë pune në supe, që dinë të ndajnë me një vëzhgim të thjeshtë çrregullimet që i mësoni në DSM. 

Ndërkohë kjo furtunë nuk kaloi pa dëme dhe çdokush nga ju e kupton sot, se dëmi më i madh i mundshëm ju bë vetë profesionit. Nuk ka dëm më të madh që mund të kishit bërë. Meritoni nga një medalje shkatërrimi! Keni qenë perfekt, ju grupi nismëtar!  

Le të kalojmë fare shkurt tek punët e bukura dhe pozitive të bëra. Do kemi kohë t’i analizojmë dhe diskutojmë më gjatë sot gjatë ditës, ndaj po qëndroj shkurt në arritjet e 2023-it. 

Kemi bërë për herë të parë provimin e rilicencimit, ndërkohë që gjatë vitit kemi patur plot 23 komisione të Edukimit në Vazhdim, për shkak të fluksit mjaft të lartë të kërkesave për rilicencim dhe përfundimit të afateve. Kemi punuar për të përmbyllur aplikimin e marrjes së Certifikatave Europsy me një material mbi 100 faqe të punuar. Ka bërë një super pune Komisioni i Etikës dhe Gjykimit Disiplinor gjatë 2023-it. Le të dalin e të thonë: “Ju hoqi Treska licencën!” Le të thonë populizma e të viktimizohen, të gjithë ne që duam të punojmë pa hile, jemi të qartë se ai që nuk i ndjek rregullat si gjithë të tjerët, nuk mund dhe nuk duhet të rivalizojë kolegët. Ndaj supër punë Komisioni i Etikës në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar.  

Kemi vazhduar ndërkohë një punë intensive për ndryshimin e përshkrimeve të punës të psikologëve në polici, përshkrime të cilat hapën një kapitull të ri për shërbimin që psikologu duhet të japë tek punonjësi i organizatës, si dhe kemi vijuar në mënyrë intensive me të gjitha komisionet tona, me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, për të konsoliduar dhe lartësuar pozicionin e psikologut. 

Më lejoni të qëndroj shumë shkurt tek punët absolutisht shumë të bukura të bëra gjatë 2024-ës. Pavarësisht shpifjeve, shantazhimeve, keqinterpretimeve ligjore, apo artikujve krejt dashakeqe dhe skandaloze të porositur lart e poshtë, ky ka qenë definitivisht viti i psikologëve shqiptarë

Kemi nisur me një ngjarje historike, atë të miratimit të Komitetit të Certifikatave EuroPsy nga EFPA. Kemi vijuar me realizimin historik të një Semestri Evropian me aktivitete të parealizuar asnjëherë më parë në këtë lartësi dhe vizion, nga asnjë prej vendeve të tjera anëtare të Federatës. Përveç komplimenteve të pafund që kemi marrë, çdo gjë është përmbyllur me një super shprehje nga ndërkombëtarët: “Shqipëria ndryshoi rregullat e lojës në realizimin e një Semestri të Psikologjisë”. 

Disa ditë më pas do të mirëpresim për herë të parë në Tiranë Shoqatën e Psikologëve Amerikanë që po për herë të pare, kanë marrë përsipër të ndërtojnë në Evropë një sistem supervizimi të qëndrueshëm, që do të jetë model për vendet e tjera. 

A thua të gjithë e bëjnë këtë se u kemi hedhur hi syve? Jo mor jo, dinë të vlerësojnë punët e mira që janë bërë pa skuthllëqe dhe mosmirënjohje, dinë të vlerësojnë frymën e grupit dhe vizionin. Punët e bukura nuk bëhen grupeve të What’s app-eve, as nuk krijohen bashkëpunëtorë duke përçarë. Punët e bukura dhe ato që ngelin gjatë duan shumë dashuri për profesionin, jo për veten, duan shumë investim në të gjithë drejtimet, duan vizion dhe duan TË PUNOSH PËR TË NDËRTUAR. 

Dhe së fundi kemi marrë lajmin e mirë të rritjes së pagave të kolegëve tanë në shkolla. Shpresoj që së fundmi të keni kuptuar dhe besuar sa fort kemi qenë në krahun Tuaj për këtë vlerësim moral dhe financiar. 

Po e mbyll sot këtë fjalë, me një kërkesë publike për falje për të gjithë tensionin që kanë mbajtur mbi shpatulla dhe gjithë baltën që u është hedhur e që nuk e meritonin kurrsesi, kolegëve të Këshillit Kombëtar, stafit të U.P.SH. dhe çdo kolegu tjetër që është ndjerë i bullizuar dhe intimiduar. 

Ndoshta kam shtyrë më shumë seç duhet dhe me ritëm pak të shpejtë, që të ndërtonim dhe bënim gjëra të bukura. Jo të gjithë na i kanë kuptuar! Pavarësisht kësaj, ne do të vijojmë të ecim përpara, do të përmirësohemi dhe me durim, me qetësi dhe maturi, jam e sigurtë se DO TË VIJOJMË TË NDËRTOJMË SË BASHKU, pavarësisht emrave të përveçëm.  

Më lejoni tashmë të dal për disa sekonda nga roli i drejtueses e të futëm në atë të psikologes. Kam një pyetje për Ju kolegë psikologë: “Si ka mundësi që ka kaq shumë agresivitet?”

Në një komunitet psikologësh është shumë më e vlefshme të analizojmë këtë dhe të ndihmojmë të ulet tempi i inatit, se sa kanë rëndësi aktivitetet që do të paraqesë në vijim Elona, apo shifrat e Eraldit. Sinqerisht, si është i mundur kaq shumë agresivitet mes nesh, kaq shumë xhelozi, inate dhe mërira. 

Kemi nevojë të gjithë të analizojmë në thellësi, të kuptojmë dhe të ndryshojmë. Asgjë nuk ka më shumë rëndësi, nëse si psikologë nuk menaxhojmë dot emocionet tona.