Duke marrë shkas nga emisioni investigativ “Stop” i datës 08.01.2019, në qendër të të cilit ishte edhe sjellja e psikologes Elona Meçani, Ju bëjmë me dije se:
Presidentja e Urdhrit, Znj.Valbona Treska në bazë të nenit 4, pika 4/d të Rregullores së Gjykimit Disiplinor Profesional ka iniciuar procedimin disipilinor kryesisht (ex-officio), duke i përcjellë rastin në fjalë Komisionit të Etikës dhe Gjykimit Disiplinor.
Gjatë ditës së sotme U.P ka dërguar gjithashtu një prononcim zyrtar drejtuar emisionit “Stop” lidhur me rastin në fjalë.
Në kuadër të problematikave të ngritura, është thirrur sot një mbledhje emergjente e Komisionit të Etikës si dhe është njoftuar mbledhje me të gjithë psikologët, të cilët punojnë pranë gjykatave në vend në cilësinë e vlerësuesit apo asistuesit.
Urdhri i Psikologut, nëpërmjet të gjitha organeve dhe instancave të tij, mbetet i vendosur në shqyrtimin me rigorozitet e përgjegjshmëri të të gjitha rasteve të ngjashme në të cilat mund të konstatohet shkelje e etikës profesionale të psikologëve gjatë ushtrimit të profesionit.
Duke falenderuar emisionin “Stop” për paraqitjen e këtij rasti dhe jo vetëm, si dhe të gjitha mendiat e tjera vizive e të shkruara për sjelljen në vëmendje të këtyre problematikave, kërkojmë gjithashtu mbështetjen e të gjithë opinionit publik për evidentimin dhe paraqitjen pranë Urdhrit të Psikologut të këtyre rasteve që dëmtojnë misionin e psikologut.